top of page

“Hilful Fudul”- aleanca për mbrojtjen e të drejtave

  • Lulzim Plloçi
  • Feb 14, 2018
  • 3 min read

Në moshën njëzet vjeçare profeti Muhamed a.s, mori pjesë në luftën Fuxhar. Çdo luftë që ndizej gjatë muajve të shenjtë, quhej luftë Fuxhar. Asokohe, fisi Hevazin sulmon Kurejshët në Mekë dhe profeti Muhamed a.s dha kontributin e tij në mbrojtje të Mekës. Thotë Profeti a.s: “Asokohe, unë furnizoja xhaxhallarët e mi me shigjeta.” Gjatë kësaj lufte, Profeti a.s shikoi për herë të parë se si zhvillohen luftërat, si duhej mbrojtur vendlindja dhe familja, e madje këtu kuptoi edhe rëndësinë e edukimit fizik. Veç luftës Fuxhar, Profeti a.s mori pjesë edhe në aleancën e mbrojtjes së të drejtave (Hilful Fudul). Një burrë nga Jemeni, solli në Mekë një karvan me mall dhe ia shiti Asi ibnu Vail, babait të Amr ibnul As. Duke përfituar nga prestigji dhe autoriteti që gëzonte në Mekë, Asi ibnu Vaili nuk ia dha paratë e mallit, duke ia zvarritur dhe duke e mbajtur me premtime. Duke parë se nuk po i jepte hakun e tij, jemenasi shkon për herë të fundit tek Asi ibnu Vail dhe i kërkon paratë, por ai refuzon dhe i thotë: “Bëj ç’të duash se nuk t’i jap.” Duke qenë se ishte pa përkrahje në Mekë, jemenasi shkon tek Daru Nedve, ku reciton disa vargje nëpërmjet të cilave apelonte për padrejtësinë që i ishte bërë si dhe fajësonte të gjithë Kurejshët për heshtjen e tyre ndaj kësaj ngjarjeje. Vargjet i mbyll me një betim se këtë çështje do e bëjë objekt bisede mes gjithë fiseve arabe. Diçka e tillë i zuri ngushtë Kurejshët. Ata ishin ajka e të gjithë fiseve arabëve dhe nuk mund të lejonin të bëheshin objekt talljesh dhe ironie. Menjëherë u mblodh paria e Mekës dhe i dhanë besën njëri-tjetrin që ta ndihmonin kujtdo që i bëhej padrejtësi në Mekë. Fillimisht ishin vetëm tre persona, ku të tre me emrin Fadl. Që këtu kjo aleancë mori emrin aleanca Fudul. Një arsye tjetër që ceket në këtë ndodhi, është se fjala “Fudul” në arabisht do të thotë të drejtat. Pra, “Hilful Fudul” do të thotë aleanca për mbrojtjen e të drejtave. Të tre personat e lartpërmendur, i dhanë besën njëri-tjetrit se do i vinin në ndihmë çdo njeriu të cilit i dhunohen të drejtat, nga banorët e Mekës qoftë, apo jashtë saj. Kjo ndihmë do të vinte, edhe nëse lipsen shpatat dhe gjaku i tyre. Pas kësaj, ata u bënë thirrje dhe mekasve të tjerë, për t’iu bashkangjitur kësaj aleance. Një numër i madh e pranuan thirrjen dhe u bënë pjesë e aleancës. Mes atyre që u rreshtuan në aleancën për mbrojtjen e të drejtave, ishte edhe profeti Muhamed a.s. Të gjithë aleatët, me shpata në duar u drejtuan drejt shtëpisë së Asi ibnu Vail, të cilit i thanë: “Ne i kemi dhënë besën njëri-tjetrin që do të mbrojmë këdo që i dhunohen të drejtat. Prandaj kemi ardhur që t’i japësh paratë jemenasit. Në të kundërt, do të vrasim.” Ishin të gatshëm të vrasin një nga fisnikët e Mekës, për të vënë drejtësinë në vend. Kur pa gjithë ata burra me shpata në duar dhe të gatshëm të hidheshin në veprim, Asi ibnu Vail mori paratë dhe ia dorëzoi jemenasit. Kjo aleancë funksionoi për një kohë të gjatë, si para ashtu dhe pas islamit. Vetë Profeti a.s thotë në një hadith: “Nëse mekasit do më bënin thirrje për t’i bashkuar një aleance, si ajo e Fudulit, do t’i bashkëngjitesha.” Kjo aleancë vazhdoi funksionale edhe pas vdekjes së profetit Muhamed a.s. Gjatë kalifatit të Jezid ibnu Muavijes, guvernatori i Medinës Uelidi, i hyn në hak Husejn ibnu Aliut. I irrituar nga kjo, Husejni i thotë: “Pasha Zotin! Nëse nuk më kthen të drejtat e mia, do bëj thirrje për Hilful Fudul!” Abdullah ibnu Zubejr ibnu Avam që ishte prezent, thotë:” “Pasha Zotin! Nëse bën thirrje për Hilful Fudul, do të nxjerr shpatën, e cila nuk kthehet më në këllëf, derisa t’i kthehen të gjithë të drejtat, ose të vdes.” I zënë ngushtë, Uelidi u detyrua t’i japë të drejtat dhe hakun e mohuar. Kjo aleancë vazhdoi funksionale për vite të tëra edhe pas islamit, pasi ajo u shërbente objektivave të sheriatit dhe fesë. Diçka e tillë përcjell një mesazh të rëndësishëm edhe për myslimanët e kohëve të sotme. Nëse myslimanëve u kërkohet të nënshkruajnë një marrëveshje, për mbrojtjen e të drejtave të një populli, apo çfarëdo qenie njerëzore, mysliman qoftë apo jo, ata duhet të pranojnë dhe të japin kontributin e tyre.

“Fikhus Sire” i Muhamed Gazalit, f. 93

Lulzim Plloçi

 
 
 

Comentarios

No se pudieron cargar los comentarios
Parece que hubo un problema técnico. Intenta volver a conectarte o actualiza la página.
Featured Posts
Recent Posts
Archive
Search By Tags
Follow Us
  • Facebook Basic Square
  • Twitter Basic Square
  • Google+ Basic Square
bottom of page