top of page

MBULESA ISLAME SI FORMË E SHFAQJES SË LIRISË SË BESIMIT NË AMBIENTET PUBLIKE

  • Edlira Dyrmishaj
  • Feb 9, 2018
  • 7 min read

Kushtetua e një vendi përbën një pakt politik. Ajo është një marrëveshje e qytetarëve për të vendosur një rend vlerash, një rend i cili do t’i shërbejë ruajtjes së të mirës së përbashkët, ose asaj që njihet si res publica. Nga ana tjetër, është i pandashëm fakti se ajo pasqyron raportin e forcave dhe ideologjinë sunduese të një populli.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, bën pjesë tek kushtetutat demokratike. Që në preambulën e saj, ajo ndërmerr një zotim kombëtar për ndërtimin e një shteti demokratik dhe të së drejtës. Ndërtimi i një shteti demokratik do të thotë një shteti që qeveriset mbi parimin e sovranitetit të popullit dhe që në thelb ka pluralizmin e ideve, ndërsa një shtet i së drejtës nënkupton një shtet, i cili bazë dhe kufij të veprimtarisë së tij ka të drejtën.

E drejta është një koncept më i gjerë se thjesht një grumbull aktesh me natyrë juridike. Në zemër të saj qëndrojnë disa vlera universale, të cilat janë të pandashme, të patjetërsueshme dhe të padhunueshme. Këto janë të drejtat dhe liritë themelore. Të drejtat dhe liritë themelore janë arsyeja e vetë ekzistencës së kushtetutës, ato përbëjnë bërthamën e saj.

Ndër të drejtat dhe liritë themelore, kushtetutëbërësi është kujdesur që të mbrojë në mënyrë të veçantë lirinë e ndërgjegjes dhe të fesë, ose e quajtur ndryshe lirinë e besimit. Historia e Shqipërisë ka ofruar kontraste të mëdha për raportin e shtetit dhe individit me fenë. Fillimisht, përfaqësuesit më në zë të besimeve kryesore fetare kanë luajtur një rol përcaktues në pavarësimin dhe ngritjen e shtetit shqiptar. Më vonë, me forcimin e elementit laik, roli i fesë filloi të kalonte në plan të dytë, edhe pse liderit fetarë vazhduan të luanin një rol jo të vogël në skenën politike shqiptare. Më pas, me instalimin e diktaturës komuniste, ideologjia sunduese i shpalli luftë të hapur fesë dhe besimit, deri në asgjësimin përfundimtar të saj.

Bazuar në këtë histori krejt unike të shtetit shqiptar në raport me fenë, jo pa qëllim, Kushtetuta është kujdesur që t’i ofrojë një vend të veçantë lirisë së besimit. Neni 10 i Kushtetutës sanksionon pa ekuivok se shtetit shqiptar nuk ka fe zyrtare, ai është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe njeh barazinë e bashkësive fetare. Megjithatë, shteti garanton lirinë e shprehjes së besimit në jetën publike. Kjo përforcohet akoma më tepër nga neni 24 i Kushtetutës, dispozitë e cila, ndërsa garanton lirinë e ndërgjegjes dhe të fesë, i jep çdo shtetasi të drejtën për t’i shfaqur bindjet fetare individualisht ose kolektivisht, në jetën private ose në publik, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve.

Kushtetuta e Shqipërisë, në dallim nga shume simotra të saj, është përpjekur për t’i dhënë vendin e duhur dhe të mohuar padrejtësisht për një gjysmë shekulli një prej elementëve më thelbësorë në sendërtimin e personalitetit njerëzor. Shumë kushtetuta kanë një trajtim mjaft sipërfaqësor në lidhje me lirinë e besimit, duke qenë se kultura fetare është e rrënjosur prej shekujsh dhe askush nuk e ka diskutuar rolin e padiskutueshëm që feja ka luajtur jo vetëm në jetën private por edhe në atë publike të atyre shoqërive. Disa syresh, sikurse është ajo e Francës, raportin e shtetit me fenë e kanë ndërtuar mbi reminishencën e së shkuarës, të luftës së ashpër ndërmjet shtresave borgjeze kundër aleancës kleriko – aristokrate, në revolucionin e fundshekullit të tetëmbëdhjetë.

Në këto vende (Franca dhe vendet e ndikuara nga kultura franceze) laiciteti ka marrë një trajtë përjashtuese në raport me fenë, një laicitet që priret të shkojë drejt ateizmit. Në të kundërt, kryesisht në vendet anglosaksone por edhe në vende të tjera Evropës kontinentale, feja përbën një element shumë të rëndësishëm në jetën shpirtërore të individëve, ajo konsiderohet një aleate të shtetit për formimin e një njeriu të shëndoshë nga pikëpamja psikologjike. Në vende si Gjermania p.sh., ideologjia fetare përbën një element identitar të vendit dhe shteti ka një rol jo më neutral, por aktiv në mbështetjen e komuniteteve fetare. Këto vende janë përfaqësuese të një laiciteti përqafues në raport me fenë.

Shqipëria, nisur nga historia e saj, por edhe nga fakti se ka një pluralitet besimesh në gjirin e vet, ka zgjedhur modelin e dytë të laicitetit, atë model ku shteti jo vetëm që nuk e përjashton rolin e fesë por madje i konsideron komunitetet fetare si bashkëpunëtore të tij. Kjo shfaqet mjaft qartë në nenin 10, pika 4, të Kushtetutës, i cili shprehet se: Shteti dhe bashkësitë fetare respektojnë në mënyrë të ndërsjellë pavarësinë e njëri-tjetrit dhe bashkëpunojnë në të mirë të secilit dhe të të gjithëve.

Siç u theksua, liria e besimit garantohet për tu shfaqur jo vetëm në jetën private por edhe në atë publike, ndër të tjera, nëpërmjet praktikave ose kryerjes së riteve. Një prej formave në të cilat shfaqet liria e besimit për një besimtare myslimane është nëpërmjet mbajtjes së mbulesës ose ndryshe e quajtur hixhab. Në të kundërt me atë çfarë e kualifikojnë ata që nuk e njohin fenë islame dhe rregullat e saj, mbulesa nuk është një simbol fetar, është shumë më tepër se kaq, është pjesë e identitetit fetar.

Të kuptuarit dhe të dalluarit e simboleve fetare pa ndonjë rëndësi esenciale nga format e shprehjes së një identiteti të caktuar ndonjëherë mund të shfaqet i vështirë për ata që nuk e njohin sferën e religjionit. Megjithatë, kjo nuk i pengon që, përpara nxjerrjes së opinioneve apo gjykimeve të nxituara dhe që shprehin veçse padituri në fushën përkatëse dhe vlerësime krejtësisht subjektive e pa baza të shëndosha, fillimisht të merrnin konsulta nga personat kompetentë. Nga kjo nuk përjashtohen, por përkundrazi kanë një përgjegjësi më të madhe, edhe personat zyrtarë që shpesh herë marrin vendime të gabuara, në rastin më të mirë të pa këshilluara në këtë drejtim, duke ndikuar negativisht në jetën, arsimimin dhe karrierën e personave të preken nga këto vendime. Marrja e mendimeve të kualifikuara në këtë drejtim nuk shpreh dështim të zgjidhjes së problemit, por përkundrazi seriozitet dhe largpamësi në trajtimin e tij. Në çështja të tilla, edhe institucionet gjyqësore më prestigjioze në botë, sikurse është Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk kanë hezituar të marrin mendimin e autoriteteve kompetente të fushës (autoriteteve fetare), të quajtur amicus curiae. Përmendim këtu çështjen Holt kundër Hobbs, vendim i datës 20 Janar 2015, ku u vendos në favor të lirisë së besimit të paditësit, çështje në të cilën u kërkua opinion nga autoritetet fetare islame në lidhje me kualifikimin e një shfaqjeje të caktuar të pamjes së jashtme, si pjesë ose jo të lirisë së besimit.

Mbajtja e mbulesës nga gratë dhe vajzat myslimane në shkolla dhe ambiente të tjera publike është një prej formave në të cilën shfaqet praktikimi i lirisë së besimit në jetën publike, ashtu siç garantohet nga akti me fuqinë më të lartë juridike në Republikën e Shqipërisë, Kushtetuta. Një formë e tillë e shprehjes së lirisë së besimit nuk e cenon laicitetin e shtetit, pasi siç u theksua, shamia nuk është simbol fetar por edhe nëse do të konsiderohej si i tillë, nuk është një simbol që vendoset në apo nga institucioni. Ajo është një shfaqje identitare që realizohet nga një person privat që akseson në këtë institucion, apo qoftë edhe duke qenë pjesë e tij. Pra duhet të bëhet i qartë dallimi ndërmjet institucionit, si përfaqësues i shtetit apo i të mirës publike, me individin që është pjesë e tij, i cili nuk mbart asnjë detyrim për të qenë përfaqësues i ideologjisë neutrale (laike) të shtetit, por si subjekt i së drejtës, i garantohen të gjithë të drejtat dhe liritë e sanksionuara nga Kushtetuta, duke përfshirë edhe lirinë e besimit.

Edhe po t’i referohemi jurisprudencës më të fundit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, liria e besimit të një individi privat, i cili ka një marrëdhënie të caktuar me institucionin shtetëror, garantohet në raport me këtë të fundit. Në çështjen Hamidoviç kundër Bosnjës dhe Hercegovinës, i vendosur më 5 Dhjetor 2017, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka konstatuar shkelje të nenit 9 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, lirisë së ndërgjegjes dhe të fesë. Aplikanti, z. Hysmet Hamidoviç, i thirrur si dëshmitar në një proces gjyqësor në shtetin e tij (Bosnjë dhe Hercegovinë), mbante në kokë një kësulë karakteristike të besimit islam (takie). Mbi kërkesën e kryetarit të seancës gjyqësore për ta hequr, ai kishte refuzuar me argumentin se përbënte formë të shprehjes së besimit të tij. Në këto kushte, kryetari i seancës kishte vendosur ta dënonte me gjobë dhe ta nxirrte nga salla e gjykimit për mosbindje ndaj urdhrave të tij, veprim që është konsideruar shkelje e lirisë për të shfaqur besimin, nga ana e GJEDNJ.

Ajo që është e rëndësishme të theksohet në këtë vendim, i cili si interpretim i nenit 9 të Konventës është i detyrueshëm për tu zbatuar në vendet anëtare të saj (përfshirë edhe Shqipërinë), është fakti se GJEDNJ këtu bën dallimin ndërmjet personit privat nga personi zyrtar. Nëse për të dytin mund të vendosen disa kufizime nga ane shtetit, gjatë kohës që ai është në ushtrim të funksionit të tij zyrtar, për personat privatë nuk ekziston një kufizim i tillë, pra ata janë të lirë për të shprehur besimin e tyre edhe në ambiente publike sikurse është gjykata, duke mos e cenuar karakterin laik të kësaj të fundit.

Në këtë drejtim të mos harrojmë se standardet e vendosura nga GJEDNJ janë standarde minimale. Kjo nënkupton se shtetet anëtarë të Konventës nuk ndalohen, përkundrazi nxiten, për ta rritur këtë standard. Pikërisht këtë gjë ka bërë edhe Shqipëria në fushën e lirisë së ndërgjegjes dhe të fesë, ku në dallim nga shumë të drejta dhe liri të tjera, të cilat kanë një trajtim më të përciptë në Kushtetutë dhe janë më shumë të hapura ndaj ndërhyrjes së ligjit (rezerva ligjore), në këtë sferë është kujdesur që rregullimi në ligjin themeltar të jetë sa më integral dhe t’i lihet hapësirë sa më e vogël kufizimit me ligj. Kjo nuk është e rastësishme por, sikurse u theksua më sipër, lidhet me raportet delikate që mbulon kjo fushë dhe me historinë e fesë në vendin tonë.

Së fundi, vlen për tu theksuar se çështja e të drejtave dhe lirive themelore nuk është një çështje që mund t’i lihet vullnetit të qeverisësve. Rëndësia e saj shkon përtej mazhorancave, duke u ngurtësuar në një dokument themeltar sikurse është Kushtetuta, e cila është shprehje e vullnetit të popullit, sintetizim i vlerave dhe parimeve të tij. Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në vendimin e famshëm W. A Bordi i Edukimit kundër Barnette, ka theksuar: Qëllimi i vërtetë i Kartës së të Drejtave (Bill of Rights) ishte që të përjashtonte disa çështje nga përplasjet e debatit politik, t’i vendoste ato përtej vullnetit të mazhorancave dhe zyrtarëve si dhe t’i sanksiononte si parime ligjore, të zbatueshme nga gjykatat. E drejta e jetës, lirisë dhe pronës, e drejta e fjalës, e shtypit, e drejta e besimit dhe e organizimit si dhe të drejta të tjera themelore nuk mund t’i nënshtrohen votimit, ato nuk mund të varen nga rezultatet e zgjedhjeve.

Edlira Dyrmishaj Themeluese World Hijab Albania Women Rights

 
 
 

Comments


Featured Posts
Recent Posts
Archive
Search By Tags
Follow Us
  • Facebook Basic Square
  • Twitter Basic Square
  • Google+ Basic Square
bottom of page